Një ish-zyrtar i lartë i qeverisë amerikane është arrestuar pasi agjentët e FBI-së zbuluan shufra ari me vlerë mbi 40 milionë dollarë në banesën e tij në Virxhinia. Së bashku me arin, u gjetën edhe rreth 2 milionë dollarë para kesh dhe 35 orë luksoze, përfshirë disa modele Rolex.
Sipas dokumenteve të gjykatës, ish-zyrtari i identifikuar si David Rush, është akuzuar për vjedhje kriminale të fondeve publike. Padia ndaj tij u paraqit javën e kaluar. Sipas New York Times, Rush ka mbajtur një pozicion të lartë brenda Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Ai është arrestuar dhe aktualisht mbahet në paraburgim, në pritje të seancës dëgjimore që do të zhvillohet këtë javë.
Dokumentet gjyqësore theksojnë se Rush kishte autorizim sigurie dhe qasje në informacione tepër sekrete. Ai akuzohet gjithashtu se ka gënjyer lidhur me arsimimin dhe shërbimin e tij ushtarak gjatë aplikimit për pozicionin qeveritar, si dhe se ka përfituar në mënyrë mashtruese mijëra dollarë pagë nga lejet ushtarake.
FBI, e pyetur për rastin, tha në një deklaratë me shkrim se arrestimi i individit, pas një referimi nga CIA, u bë më 19 maj.
Dyshohet se, gjatë periudhës kur ishte në detyrë, Rush ka bërë kërkesa të shumta ndaj qeverisë amerikane për marrjen e sasive të konsiderueshme të valutës së huaj dhe dhjetëra miliona dollarë në shufra ari, me justifikimin e shpenzimeve të lidhura me punën, të cilat i ka marrë më pas.
