Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për zhvillimet e fundit brenda partisë, konkretisht qëndrimin e tri degëve të LDK-së që ia kërkuan dorëheqjen.

Abdixhiku deklaroi se për Imri Ahmetin dhe Gazmend Muhaxherin “ka hyrë në zjarr”, edhe kur sipas tij “kanë bërë gafa të mëdha”.

“S’mund të kem fjalë të këqija për asnjërin prej tyre, unë i kam mbrojtur kur kanë bërë gafat më të mëdha në këtë studio. Kur kanë folur për Millosheviqin kam dalë e kam folur se si kanë ngrënë njerëzit burg, e neve na ka kushtuar me votë atje. U desh t’u mbyllja marret e tyre, kam hyrë në zjarr për ta..”, tha Abdixhiku në Rubikon.

Në vitin 2023, Gazmend Muhaxheri, i kishte kritikuar veprimet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, lidhur me Veriun. Madje Muhaxheri qëllimet e Kurtit i krahasonte me ato të “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, i cili thoshte në vitin 1989 “Po vendosim shtetin ligjor në Kosovë”.

“Dhe opinioni është i njëjtë. Ai donte të vendoste shtet ligjor në një territor ku 90 për qind ishin shqiptarë”, thoshte Muhaxheri.

“Udhëheqësi i qeverisë së tanishme kosovare është orientuar që në veri që me vendos shtet ligjor. Te kush? Te njerëzit që janë 97 për qind serbë? Në një territor që jetojnë 30 mijë ose 40 mijë qytetarë serbë”, thoshte ai.

“Me i vu në rrezik të arriturat e komplet e 25 vjetëve pas luftës, edhe 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë edhe me fut vendin në sanksione është papërgjegjësi totale”, kishte deklaruar Muhaxheri në KlanKosova.