Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka reaguar ndaj kritikave për projektin e bulevardit dhe objektit të ri të Komunës së Gjilanit, investim prej 18 milionë eurosh i udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni.

Sipas tij, Hyseni po përballet me akuza që lidhen me procedurat dhe lejet e ndërtimit, e jo me korrupsion apo keqpërdorim të detyrës. Kërçeli tha se kjo dëshmon standard të ri të qeverisjes në Gjilan.

Ai gjithashtu kritikoi Komunën e Prishtinës, duke pretenduar se miliona euro po ndahen për subvencionimin e një ndërmarrjeje publike që përballet me vështirësi financiare dhe vonesa në pagesën e pagave.

Statusi i tij i plotë:

Është interesante se si disa kolegë deputetë po merren me një projekt të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, dhe ekipit të tij.

Bëhet fjalë për një projekt që kryeqendra e Anamoravës do të duhej ta kishte pasur shumë më herët: bulevardi i qytetit dhe objekti i ri i Komunës, një investim me vlerë prej 18 milionë eurosh.

Dhe, merreni me mend, kryetari i Gjilanit po akuzohet jo për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, por për çështje që lidhen me procedurat dhe lejet e ndërtimit të bulevardit. Kjo, në njëfarë mënyre, tregon edhe standardin e ri të qeverisjes që është vendosur në Gjilan nga Lëvizja Vetëvendosje!

Ndërkohë, nuk dëgjohet pothuajse asnjë fjalë për milionat e eurove që po kalojnë nga Komuna e Prishtinës, aty ku qeveris subjekti politik i atyre që sot po ngritin akuza.

Madje, po thirren seanca për subvencionimin me miliona euro të një ndërmarrjeje publike, që të tërhiqen nga përmbaruesit. Kjo po ndodh për projekte që përdoren nga një numër i kufizuar qytetarësh të kryeqytetit, si dhe për mbulimin e kostove të qirasë së objekteve të kësaj ndërmarrjeje.

Një ndërmarrje që është sjellë në një gjendje të tillë sa që edhe pagat e punëtorëve duhet të mbulohen edhe me shumë vonesa përmes subvencioneve nga komuna.