**AfD përballet me kishat në Saksoni-Anhalt**

Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) në landin e Saksonisë-Anhalt ka shpallur një qasje konfrontuese ndaj kishave. Kjo situatë i ka lënë përfaqësuesit fetarë mes shqetësimit dhe vendosmërisë për të mbrojtur vlerat e tyre.

Banderola të mëdha valëviten para katedrales katolike në Magdeburg, duke shpallur: “Mëshirë, Dialog, Dinjitet Njerëzor, Solidaritet, VOTONI ME NDËRGJEGJE!”. Ndonëse nuk përmendet asnjë parti politike, mesazhi është i qartë. Pak më larg, në famullinë protestante, shkruhet “DIVERSITETI ËSHTË HYJNOR”, ndërsa nga kisha të tjera protestante në rajon varen banderola me mesazhin “Zemër në vend të nxitjes”.

Paralajmërimet kundër Alternativës për Gjermaninë (AfD), e cila kryeson sondazhet në Saksoni-Anhalt, janë bërë pjesë e përditshmërisë së jetës kishtare prej muajsh. Peshkopi i Magdeburgut, Gerhard Feige, gjatë pelegrinazhit vjetor dioqezan në manastirin Huysburg, ku morën pjesë 3,000 besimtarë, trajtoi temën “Pelegrinët e Shpresës”. Ai përmendi pothuajse rastësisht se “Pelegrinët e Shpresës” nuk votojnë në mënyrë impulsive, apo “verbërisht” – një shprehje gjermane që fjalë për fjalë do të thotë “në blu”. Ngjyra blu është ngjyra identifikuese e partisë AfD, dhe fjalët e tij u shoqëruan me duartrokitje të zgjatura.

Për muaj me radhë, AfD është renditur si forca politike më e fortë në sondazhet paraprake për zgjedhjet e ardhshme të 6 shtatorit. Bazuar në këto sondazhe, duket e mundur që partia të formojë qeverinë e saj. Paralelisht, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka klasifikuar degën e AfD-së në Saksoni-Anhalt si “ekstremiste të djathtë të konfirmuar”.

**Kisha, një pengesë për AfD-në**

Në Saksoni-Anhalt, rreth 10% e 2.1 milionë banorëve janë protestantë, ndërsa 3% katolikë. Vetëm disa mijëra i përkasin komunitetit mysliman apo hebre. Përafërsisht 85% e banorëve të këtij landi nuk i përkasin asnjë feje, shumë më lart se mesatarja kombëtare gjermane prej rreth 47%. Megjithatë, roli i kishave si avokatë të demokracisë në këtë land të Gjermanisë Lindore është më i madh sesa sugjerojnë statistikat. Kjo është pikërisht ajo që shqetëson qartazi AfD-në.

Me të ashtuquajturin “program qeveritar”, miratuar në kongresin e landit në prill, AfD ka nisur një sulm frontal ndaj kishave protestante dhe katolike. Sipas programit, partia synon të ndërpresë të gjitha pagesat nga buxheti i landit për të dyja kishat dhe t’i japë fund mbledhjes së taksave kishtare nga autoritetet shtetërore (një shërbim për të cilin kishat paguajnë shtetin). Gjithashtu, paralajmërohen ndryshime lidhur me “azilin kishtar”, përmes të cilit refugjatët gjejnë strehim në ndërtesa kishtare, nga frika e persekutimit në vendet e origjinës.

**Kritikat e shumta**

Ashpërsia e këtyre kritikave tejkalon atë që dëgjohet zakonisht nga degët e tjera të AfD-së apo në nivelin federal. Kanë marrë fund kohërat kur përfaqësuesit e partisë në lindje ankoheshin se nuk ftoheshin në kisha apo konventa katolike. Në shkurt 2024, Konferenca e Peshkopëve Katolikë Gjermanë miratoi unanimisht një deklaratë, duke theksuar se “nacionalizmi etnik dhe krishterimi janë të papajtueshëm”. Në këtë deklaratë, ata e identifikuan ideologjinë etno-nacionaliste të AfD-së si “ekstremizëm të vërtetë të krahut të djathtë”.

Ky dokument u nxjerr në pah duke marrë parasysh zgjedhjet e ardhshme në landet lindore gjermane si Turingia, Saksonia dhe Brandenburgu. Edhe pse zgjedhjet në Saksoni-Anhalt, Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe Berlin do të mbahen në shtator të vitit 2026, konflikti mes AfD-së dhe kishave është aktualisht më intensiv në Saksoni-Anhalt.

**Nacionalizmi etnik**

Peshkopi Feige shprehet se politikat e AfD-së pasqyrojnë në thelb nacionalizmin etnik. “Deri më tani, motoja e Saksonisë-Anhaltit ka qenë ‘Mendo moderne’. AfD dëshiron ta zëvendësojë këtë me ‘Mendo gjermanisht’”, theksoi ai në një intervistë për DW. “Posterat e AfD-së thonë: ‘Shpëtoni vendin tuaj’, ‘Kthejeni vendin tuaj’… Çfarë tjetër mund të jetë përveçse nacionalizmi etnik?”

74-vjeçari Feige shprehet se “nuk e kishte imagjinuar kurrë që sot kaq shumë njerëz mund të josheshin përsëri nga parulla dhe ideologji të tilla, dhe se do të shfaqeshin zjarrvënës, demagogë e sharlatanë dhe se kaq shumë do të binin pre e tyre”. Si shembull, ai citon ceremoninë e ngritjes së flamurit, të cilën AfD dëshiron ta rikthejë në shkollat e landit, duke përfshirë ngritjen e flamurit dhe këndimin e himnit kombëtar. Feige thekson: “Kjo ekzistonte gjatë epokës naziste. Tani duhet të kthehet? E konsideroj të pamundur.”

Të dyja kishat theksojnë se nuk po flasin kundër asnjë partie politike, por në mbështetje të kuptimit të krishterë të njerëzimit. Mesazhet e tyre duhet të kuptohen si një mbështetje për vlerat njerëzore dhe jo për ndonjë parti të caktuar politike.

**Liria fetare sipas vizionit të AfD-së**

Lidhur me lirinë fetare, programi i AfD-së nuk përmend kurrë hebrenjtë apo jetën hebraike, por i referohet shpesh fesë islame. AfD deklaron se do ta “kthejë lirinë fetare në standardet e duhura”, duke e përshkruar Islamin si një “fe të huaj nga ana kulturore”. Sipas AfD-së, liria fetare nuk i detyron gjermanët të “përmbushin çdo dëshirë të lobit islamik”.

Peshkopi Kramer paralajmëron se “pjesëmarrja e AfD-së në qeveri do të kishte pasoja shkatërruese”. Për këtë arsye, sipas tij, të gjithë ata që janë aktivë në fushën e kulturës dhe shoqërisë civile, paralajmërojnë së bashku kundër AfD-së. Homologu i tij katolik, peshkopi Feige, gjithashtu paralajmëroi kundër “nënvlerësimit” të pasojave të mundshme të një qeverie të udhëhequr nga AfD-ja. Ai thekson se partia bën fushatë “me ide mesianike”, duke përdorur mesazhe si “Gjithçka do të jetë mirë” ose “Gjithçka është e mundur”. Ndonëse kandidati kryesor i AfD-së, Ulrich Siegmund, “duket shumë i zgjuar dhe entuziast”, Feige thekson se “pas tij qëndrojnë forca që mund të jenë të tmerrshme”. Ai paralajmëron se “nëse një qeveri njëpartiake e AfD-së vjen në pushtet në këtë land, ky do të jetë vetëm një projekt pilot. Saksonia-Anhalt do të shërbejë më pas si një pikë hyrjeje në politikën federale.” /DW