Një agjent imobiliar në Angli është dënuar me 8 vite e 4 muaj burg pasi përdori biznesin e tij për t’i siguruar një rrjeti kriminal prona që shndërroheshin në ambiente për kultivimin e kanabisit.
Mes personave të përfshirë në këtë rrjet kishte edhe shtetas shqiptarë.
Bëhet fjalë për drejtorin e agjencisë imobiliare ‘Condor Estates’, Sarfraz Farooq, 46 vjeç, i cili përdorte aktivitetin e tij për të siguruar prona dhe për të krijuar kontrata të falsifikuara qiraje.
Hetimi i policisë britanike, i zhvilluar në kuadër të operacionit ‘Costello’, zbuloi një rrjet që kishte ngritur ambiente për kultivimin e kanabisit në disa prona në Luton dhe Milton Keynes.
Në vitin 2024, autoritetet kontrolluan 20 prona.
Në 19 prej tyre u gjetën ambiente të përshtatura për kultivimin e kanabisit, ndërsa në një tjetër u zbuluan pajisje hidroponike të përdorura për këtë aktivitet. Në total u sekuestruan rreth 2 mijë bimë kanabisi.
Sipas autoriteteve britanike, vlera e kanabisit të sekuestruar llogaritej deri në 800 mijë paund, ndërsa prodhimi i plotë i këtyre ambienteve mund të gjeneronte më shumë se 2 milionë paund në një periudhë prej 12 muajsh.
Në qendër të skemës ishte agjencia imobiliare, përmes së cilës siguroheshin banesat.
Farooq përdorte kontrata dhe dokumente të falsifikuara, ndërsa pronarëve u paraqiteshin marrëveshje dhe pagesa qiraje që nuk pasqyronin përdorimin real të pronave.
Mes personave të dënuar është edhe shqiptari Uran Gogu, 42 vjeç, i cili kishte rol në përshtatjen e ambienteve dhe instalimin e pajisjeve hidroponike.
Ai u dënua me 6 vite e 6 muaj burg. Sipas hetimit, Gogu ishte përfshirë edhe në manipulimin e matësve të energjisë elektrike.
Në disa prej pronave pati edhe probleme me energjinë elektrike, ndërsa ndërhyrjet e paligjshme në matës u lidhën me zjarre në tri banesa.
Të tjerë persona të përfshirë në rrjet morën dënime më të shkurtra ose dënime të pezulluara, ndërsa një prej tyre u përfshi në pastrimin e parave përmes blerjes me para në dorë të një prone që më pas u përdor për kultivimin e kanabisit.
