Mëngjesin e sotëm, Bashkia dhe Gjykata e Durrësit, si dhe disa institucione të tjera në qytete të ndryshme të vendit, janë alarmuar pas dërgimit të e-maileve kërcënuese me bombë.
Këto mesazhe elektronike, të dërguara nga një adresë ende e paidentifikuar dhe që mbajnë firmën e “Shtetit Islamik”, pretendojnë se në këto objekte është vendosur një bombë, e cila do të shpërthente brenda dy orësh. E-maili përmban gjithashtu një kërcënim specifik: “Të pafetë do të bëhen copash brenda dy orëve.”
Sipas raportimeve të Top Channel, mesazhi paralajmërues ka mbërritur posaçërisht në adresat elektronike të Bashkisë së Durrësit dhe Gjykatës së këtij qyteti, duke rritur nivelin e alarmit. Autoritetet përkatëse po hetojnë rastin për të verifikuar seriozitetin e kërcënimeve dhe për të identifikuar burimin e tyre.
