Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar me nderim Heroin e Kombit Agron Rrahmani në 28-vjetorin e rënies së tij heroike.

Në mesazhin përkujtimor, Haxhiu tha se Agron Rrahmani u dallua që në rini për veprimtarinë e tij atdhetare, duke nisur aktivitetin si gjimnazist në Besianë dhe duke e vazhduar më pas në ilegalitet në Prishtinë, Tiranë, Tetovë dhe vise të tjera shqiptare.

Postimi i plotë:

Në 28-vjetorin e rënies, e kujtojmë me nderim Heroin e Kombit Agron Rrahmanin. Qysh i ri, nga Ballofci i Besianës deri në Prishtinë, ai u dallua për veprimtari atdhetare.

Aktivitetin e tij e nisi herët si gjimnazist në Besianë, dhe më vonë e vazhdoi në ilegalitet, në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë e në shumë vise të tjera, ai u bë një nga njerëzit e veprimit të përditshëm. Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej.

Agron Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet.

Para se të merrte drejtimin e njësitit “Rexhep Mala” në Prishtinë, ai kishte marrë përsipër përgatitjen luftarake të anëtarëve të LKÇK-së dhe të vullnetarëve, si dhe kishte ndihmuar në ngritjen e qendrës stërvitore në Tiranë, ku u përgatitën mbi 300 vullnetarë.

Në shkurt të vitit 1998, ai u caktua komandant i njësitit të parë ilegal luftarak në Prishtinë, njësit që mori emrin “Rexhep Mala”.

Agroni ra heroikisht me 12 maj 1998. Ajo ishte javë e kobshme për luftën tonë dhe një nga goditjet më të rënda të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare.

Para rënies së tij, kishte rënë me 7 maj Bahri Fazliu dhe me 9 maj Ilir Konushevci. Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmai dhe të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!