Altin Krasniqi: U dënua UÇK-ja, jo individët

Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit të Kosovës dhe njërit prej ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqit, ka riafirmuar qëndrimin e tij lidhur me dënimin e ish-liderëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Nëpërmjet një postimi në platformën “Facebook”, Krasniqi theksoi se nëse ish-krerët e UÇK-së do të gjykoheshin vetëm mbi veprimet e tyre individuale dhe jo në bazë të pozicionit që kanë mbajtur në strukturat e UÇK-së, ata sot do të ishin të lirë.

“U dënua UÇK-ja, jo individët. Nëse ua heqim pozitat që kanë mbajtur në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe i gjykojmë vetëm individualisht, mbi veprimet konkrete të secilit, ata sot do të ishin të lirë,” shkroi ai, duke shtuar se pikërisht për shkak të pozicioneve të tyre në UÇK, ata u bënë ndër figurat kryesore që negociuan dhe nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë. Më pas, ata kontribuuan në krijimin e shtetit të Kosovës.

“Prandaj, ajo që dhemb më shumë është se, përmes tyre, është dënuar UÇK-ja dhe sakrifica e një populli të tërë,” përfundoi Krasniqi në postimin e tij.