Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Wendt, mbërriti të premten në Shqipëri. Ai pritet të shtunën t’i dorëzojë letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, në një ceremoni zyrtare.

Wendt, një gjeneral-lejtnant amerikan në pension, vjen me një profil të theksuar ushtarak dhe të sigurisë. Ai ka shërbyer për më shumë se 34 vjet në ushtri, ka komanduar forcat e operacioneve speciale të NATO-s, përfshirë trupa shqiptare, dhe ka bashkëpunuar me ushtarë shqiptarë edhe gjatë misionit në Afganistan. Pas daljes në pension, ai ka ligjëruar mbi çështjet e komandimit dhe udhëheqjes në Shkollën Pasuniversitare Detare.

Gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, në muajin maj, ambasadori Wendt theksoi si prioritete kryesore të misionit të tij në Shqipëri luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike, si dhe sigurimin e një trajtimi të drejtë dhe transparent për investitorët amerikanë në sektorë kyç si energjia, infrastruktura, minierat dhe inteligjenca artificiale.