Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur dy anëtarë të rinj të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ndërsa për dy pozita të rezervuara për komunitetin shqiptar, procesi i përzgjedhjes do të përsëritet. Zgjedhja u bë pas një procesi votimi në Komisionin Zgjedhor të Kuvendit.

Ana Kostiq është zgjedhur anëtare nga radhët e komunitetit serb, ndërsa Aldin Shabani do të përfaqësojë komunitetet e tjera jo-shumicë në Bordin e RTK-së.

Në votim morën pjesë 96 deputetë, ndërsa nëntë vota u shpallën të pavlefshme. Ana Kostiq siguroi 52 vota, duke lënë pas Tamara Jorgiqin me 13 vota. Ndërsa, nga kandidatët për komunitetet e tjera jo-shumicë, Aldin Shabani mori 70 vota, krahasuar me 16 votat e Zulejha Ustaibu.

Pas përfundimit të procesit të votimit, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, konfirmoi rezultatet, duke theksuar se për dy pozita të destinuara për komunitetin shqiptar, procesi i shpalljes publike do të duhet të përsëritet.

“Në bazë të raportit konstatoj se anëtar i bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb zgjidhet Ana Kostiq dhe anëtar i bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve të tjera jo-shumicë Aldin Shabani. Për dy anëtarët e bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar, Radio Televizioni i Kosovës duhet të përsëritë shpalljen publike në bazë të Ligjit të RTK-së”, deklaroi Gola.