Komandanti i FSK-së dekorohet në Shqipëri me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura”

Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite, ai u prit me nderime ushtarake nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), Gjenerallejtënant Arben Kingji.

Në fokus të takimit mes dy gjeneralëve ishte diskutimi mbi situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të shquar dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave, Komandanti Jashari u dekorua me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura”.

Bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe FARSH-it vazhdon të thellohet, me qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë në rajon dhe më gjerë.