Carlo Ancelotti ka konfirmuar se ka zhvilluar bisedime me Federatën Italiane të Futbollit (FIGC), por ka vendosur të refuzojë mundësinë për të marrë drejtimin e kombëtares italiane.
Tekniku italian bëri të ditur se arsyeja e vendimit të tij nuk kishte të bënte me aspektin financiar apo kushtet e kontratës, por me angazhimin që kishte marrë ndaj kombëtares së Brazilit.
Ancelotti tregoi se, pavarësisht interesimit të FIGC-së, ai nuk dëshironte të thyente premtimin e dhënë, duke vlerësuar besimin dhe mbështetjen që ka marrë gjatë periudhës së tij në Brazil.
“Kam qenë në kontakt me Federatën Italiane, por nuk ishte çështje kontrate. Bëhej fjalë për angazhimin që kam marrë. Gjatë vitit të fundit jam ndier jashtëzakonisht mirë këtu dhe jam pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk dua ta shkel këtë angazhim. Dua të vazhdoj të punoj dhe të jap maksimumin për kombëtaren braziliane”, ka deklaruar Ancelotti për “ESPN”.
Italia ndërkohë po përgatitet të nisë një epokë të re me Roberto Mancinin në krye të përfaqësueses, ndërsa emri i Ancelottit kishte qenë një nga alternativat më të përfolura për stolin e “Azzurrëve” përpara se federata të merrte vendimin përfundimtar.
