Angelina Jolie rrëfen hapur: Fëmijët më ndihmuan të shërohem pas divorcit
Aktorja e njohur Angelina Jolie ka ofruar një pasqyrë të rrallë të jetës së saj pas ndarjes nga Brad Pitt, duke theksuar se shërimin dhe kthimin e “shpirtit të saj luftarak” ia dedikon tërësisht fëmijëve.
Divorci i aktores, i cili u finalizua rreth dy vjet më parë, sipas raportimeve të “Unilad”, zbuloi se si fëmijët e saj tashmë të rritur e kanë inkurajuar atë të fokusohet sërish te vetja dhe karriera.
Edhe pse martesa e Jolie-s dhe Pitt-it zgjati vetëm dy vjet, marrëdhënia e tyre u shtri mbi një dekadë, ndërsa procesi ligjor i divorcit vijoi për tetë vjet. Çifti ka gjashtë fëmijë: Maddox (24), Pax (22), Zahara (21), Shiloh (20), si dhe binjakët Knox dhe Vivienne (17). Vitet e fundit, disa prej fëmijëve kanë nisur të përdorin mbiemrin “Jolie” në publik, në vend të “Pitt”.
Në një intervistë të kohëve të fundit për revistën “Variety”, Jolie foli për kthimin gradual të optimizmit të saj. “Mendoj se shpirti im luftarak më në fund po rikthehet,” tha ajo. “E kisha humbur për një kohë. Ndihesha disi e thyer, por po më kthehet kryesisht falë fëmijëve të mi, të cilët tani janë më të rritur dhe më inkurajojnë.”
Ajo shtoi se fëmijët e saj e nxisin të rizbulojë botën dhe interesat e saj. “Fëmijët e mi janë pothuajse të gjithë të rritur tani, kështu që duan që unë të udhëtoj nëpër botë, duan që unë të dal dhe të bëj gjëra. Ata më njohin më mirë se kushdo dhe ende më duan, gjë e cila flet shumë. Mendoj se ata më inkurajojnë vërtet të kthehem tek ato anë të personalitetit tim, për të cilat ndoshta nuk ndihesha mjaftueshëm e lirë më parë t’i bëja,” u shpreh aktorja.
Jolie reflektoi edhe mbi karrierën e saj, duke shpjeguar se si, para divorcit, ajo gradualisht u shkëput nga aktrimi për t’u fokusuar te regjia e filmave si “Without Blood”, “Unbroken” dhe “First They Killed My Father”. Megjithatë, rrethanat e reja e shtynë atë të rikthehej në aktrim.
“Në një farë mënyre e kisha ndërprerë aktrimin para divorcit. Isha e përqendruar te regjia dhe mendoja se do të ndiqja projektet e mia ndërkombëtare. Por pastaj, papritmas, e vetmja mënyrë për të qenë më shumë në shtëpi, për të qenë larg për një kohë të shkurtër ose për të fituar para të mira, ishte të kthehesha te aktrimi,” shpjegoi ajo. “Pranova vetëm punë që ishin afatshkurtra, me orare të ngjeshura ose ku mund t’i merrja fëmijët me vete.”
