Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi aktgjykimin lirues për Luigj Azizajn, i cili akuzohej për vrasje në tentativë në një autobus në vitin 2002. Vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që e kishte liruar Azizajn nga kjo akuzë, është konfirmuar nga shkalla e dytë e gjyqësorit.
Më 14 shkurt 2025, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte shpallur aktgjykimin me të cilin e kishte liruar Azizajn nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”. Kundër këtij aktgjykimi, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte parashtruar ankesë, duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje të Ligjit Penal. Prokuroria kishte propozuar kthimin e lëndës për rigjykim dhe rivendosje. Edhe Prokuroria e Apelit, përmes një parashtrese, kishte kërkuar aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore.
Por, Gjykata e Apelit, në vendimin e saj të përpiluar më 24 shkurt 2026, i cilësoi të pabazuara pretendimet lidhur me shkeljet thelbësore të procedurës penale. Sipas Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore është konkret dhe i qartë, ndërsa në arsyetimin e vendimit është përshkruar gjendja faktike, të cilën e ka vërtetuar kjo gjykatë.
Apeli theksoi se Themelorja e ka vërtetuar gjendjen faktike në mënyrë të drejtë dhe të plotë, duke shtuar se me provat e administruara nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari ka kryer veprën penale. Sipas Apelit, provat nuk dëshmuan se Azizaj në ditën kritike ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin, prandaj shkalla e parë ka vepruar drejt kur e ka liruar të akuzuarin nga akuza.
Gjykata e Apelit sqaroi gjithashtu se, edhe pse me veprimet e të akuzuarit mund të ishin konsumuar elemente të veprave të tjera penale, si “Pjesëmarrja në rrahje”, “Rrezikimi me mjet të rrezikshëm gjatë rrahjes” apo “Mbajtja pa leje e armëve”, çdo rikualifikim i tillë do të rezultonte në një aktgjykim refuzues, pasi do të kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale. Për këto arsye, Apeli vendosi të konfirmojë vendimin e Gjykatës Themelore.
Vendimi është marrë nga kolegji i Apelit i përbërë nga kryetari Mentor Hajra, si dhe anëtarët Skender Çocaj dhe Xhevdet Abazi.
Vlen të theksohet se dëshmitarët në këtë rast, në seancën e 22 korrikut 2022, kishin deklaruar se nuk u kujtoheshin në tërësi detajet e rastit.
Ngjarja për të cilën akuzohej Azizaj ka ndodhur më 20 shkurt 2002, në autobusin e NPT “Haxhija Trans” që udhëtonte në relacionin Skënderaj – Mitrovicë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, ngritur më 5 shkurt 2007, Azizaj, pas një ngatërrese verbale, kishte tentuar të privonte nga jeta Alfred Dibranin. Ai i kishte rënë disa herë me grushte kokës Dibranit dhe më pas kishte nxjerrë thikën me qëllim që ta priste në fyt. Në këtë moment, ai ishte ndaluar nga kondukteri Ejup Uka, i cili kishte pësuar plagosje të lehta trupore në dorën e djathtë gjatë ndërhyrjes. Azizaj akuzohej për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Përveç Azizajt, në aktakuzë përfshihej edhe Alfred Dibrani, i cili akuzohej për ‘Mbajtje pa leje të armëve’ (një sprej gazi helmues) që e kishte përdorur në mënyrë kërcënuese gjatë ngatërresës me të pandehurin e parë. Mirëpo, gjykatësi Radosllav Markoviq kishte konstatuar se procedura ndaj Dibranit ishte pezulluar më herët, pasi vepra penale për të cilën akuzohej ishte parashkruar.
