**Rahovec: Prokuroria thellon hetimet për tentativë vrasjeje pas sulmit me armë**

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, pas ngjarjes së të dielës, ku tre qytetarë, në Rahovec, u përballën me një tentativë grabitjeje nga një person i maskuar, i cili, siç dyshohet, qëlloi me armë zjarri në drejtim të makinës së tyre.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Gjakovës, Drin Domi, deklaroi për Klankosova se Prokurori i Shtetit ka autorizuar hetuesit policorë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim zbulimin dhe identifikimin e autorit/ëve të veprës penale në fjalë, si dhe zbardhjen e plotë të rastit.

Ndërkohë, bazuar në njoftimin e policisë, tre burra kanë raportuar se, teksa po udhëtonin me makinë, kanë hasur në një pengesë të vendosur në rrugë. Pasi kanë ndaluar dhe kanë zbritur nga automjeti për të larguar pengesën, një person i maskuar dhe i armatosur me armë të gjatë u është afruar, duke i kërcënuar dhe duke u kërkuar para.

Viktimat, sipas të dhënave të policisë, kanë refuzuar kërkesën e të dyshuarit, janë kthyer në makinë dhe kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes. Në ato momente, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit, duke goditur gomën e pasme.