Arian Tahiri: Kurti ka abuzuar me konstruktivitetin e PDK-së, kërkon ftesë zyrtare për takim

Arian Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për abuzim me qëndrimin konstruktiv të partisë së tij. Ai theksoi se PDK-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë konstruktive në procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit, por vuri në dukje se Kurti nuk po tregon seriozitet në gjetjen e një zgjidhjeje, duke synuar, sipas Tahirit, dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“PDK-ja ka qenë jashtëzakonisht konstruktive, pozitive dhe transparente, duke prezantuar hapur qëndrimet e saj para, gjatë dhe pas takimeve. Çdo tendencë për të keqinterpretuar qëndrimin e PDK-së tregon mungesë serioziteti nga pala tjetër, e cila nuk është e interesuar t’i ofrojë vendit një president dhe t’iu shmanget zgjedhjeve. Këto i shoh si taktika të Kurtit për të dramatizuar situatën dhe për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve,” deklaroi Tahiri për RTV 21.

Deputeti Tahiri e cilësoi si “telenovelë të Kurtit” kërkesën e tij se nevojiten 84 apo 85 vota të sigurta për zgjedhjen e presidentit. Ai theksoi se kjo është një përpjekje për të humbur vëmendjen dhe për të krijuar situata të paarsyeshme, ndërkohë që konsensusi arrihet me 80 vota, të cilat janë të mjaftueshme.

Lidhur me mundësinë e një takimi mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Enver Hamza, Tahiri deklaroi se fillimisht duhet të ketë një ftesë zyrtare. Ai theksoi se nuk ka pasur seriozitet dhe respekt në qasjet paraprake, duke abuzuar me frymën e bashkëpunimit dhe konstruktivitetit të PDK-së.

“Qëndrimi aktual i partisë është se duhet të ketë shkresë zyrtare drejtuar PDK-së, përkatësisht kryetarit. Më pas, PDK-ja do ta shqyrtojë kërkesën në organet e saj dhe do të dalë me një qëndrim zyrtar,” përfundoi Tahiri.