**Armë, municion dhe pajisje ushtarake zbulohen në Zubin Potok, Policia nis hetimet**

Policia e Kosovës ka njoftuar për zbulimin dhe sekuestrimin e armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme në tri raste të veçanta brenda komunës së Zubin Potokut.

Në një rast, në një objekt që shërbente si shtallë bagëtish, janë gjetur dhe sekuestruar: një armë zjarri, pesë karikatorë me 151 fishekë për armë të gjatë, pjesë të uniformës kamuflazhi, si dhe bateri për ndriçim.

Ndërkaq, gjatë një aksioni tjetër në një objekt të ngjashëm, forcat policore sekuestruan një armë zjarri, 74 fishekë për të, si dhe 254 fishekë për armë të gjatë.

Në rastin e tretë, në një objekt të pabanuar, u zbuluan një pushkë me bajonetë, 11 fishekë për të, 33 fishekë për armë të gjatë, dy pajisje për mbushjen e fishekëve të gjuetisë, rreth 200 gramë barut dhe 2 kilogramë gogla për mbushjen e fishekëve.

Policia e Kosovës bën të ditur se të gjitha armët dhe pajisjet e zbuluara janë sekuestruar, ndërsa ekipet përkatëse hetimore po vazhdojnë punën për të zbardhur rrethanat dhe origjinën e tyre. /Indeksonline/