Arrestohen tre persona në Dragash, kapen në flagrancë gjatë tentativës për vjedhje në fabrikë
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Dragash, pasi u kapën në flagrancë brenda një fabrike të braktisur.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 4 gushtit, rreth orës 21:00. Patrullat e Stacionit Policor në Dragash, së bashku me njësitë kufitare, reaguan menjëherë pas marrjes së informacionit për një tentativë vjedhjeje në zhvillim.
I dyshuari i parë u arrestua rreth orës 22:30 brenda objektit, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë u kapën rreth 15 minuta më vonë.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi mjete të dyshuara për t’u përdorur në vjedhje, përfshirë dorëza, fleks, bateri, sharrë metalike, si dhe një automjet që dyshohet se ishte përdorur nga autorët për transport.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit, të moshës 36, 37 dhe 38 vjeç, janë ndaluar për 48 orë.
Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit janë të lidhur edhe me vepra të tjera të ngjashme penale.
