Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale. Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prizren, pasi dyshohet se E.R. ka kryer vepra penale dhe plotësohen kushtet ligjore për këtë masë.

I pandehuri E.R. ka qenë objekt i dy urdhërarresteve aktive, si dhe fletarrestimeve vendore e ndërkombëtare, të lëshuara nga gjykata kompetente me kërkesë të Prokurorisë.

Kërkesa aktuale për paraburgim lidhet me procedurat penale në zhvillim për veprat “Detyrimi”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”, si dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale në vazhdimësi”.

Përveç këtyre, ndaj E.R. janë në zhvillim e sipër edhe procedura të tjera penale në Prokurorinë Themelore në Prizren (në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe atë të Përgjithshëm), si dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Këto procedura lidhen me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke përfshirë edhe “Kanosjen” drejtuar zyrtarëve shtetërorë.

Prokuroria vlerëson se në këtë fazë të procedurës penale janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi i pandehuri për një kohë të gjatë i është shmangur organeve të drejtësisë, ka qenë në kërkim me urdhërarreste vendore e ndërkombëtare, si dhe ekziston rreziku i ikjes dhe pengimit të mbarëvajtjes së procedurës penale.

Prokuroria Themelore në Prizren rikonfirmon përkushtimin e saj në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin që çdo person i dyshuar për vepra penale të mbajë përgjegjësi para drejtësisë.