Policia e Kosovës ka arrestuar në Ferizaj një 25-vjeçar, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest aktiv dhe posedonte një armë zjarri pa leje.
Arrestimi i personit me inicialet L.T., 25 vjeç, u bë mbrëmë rreth orës 23:25 në fshatin Sojevë të Ferizajt. Një patrullë e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, gjatë një pike kontrolli në këtë fshat, ndaloi një veturë të tipit Opel Meriva me targa vendore.
Gjatë verifikimit të pasagjerit, u konfirmua se L.T. kishte një urdhërarrest aktiv të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Përveç kësaj, ai posedonte me vete një pistoletë me pesë fishekë.
Në vendngjarje dolën edhe njësitë reaguese të policisë.
I dyshuari u shoqërua në stacionin policor, ku u intervistua nga hetuesit. Me vendim të prokurorit të shtetit, u iniciua një rast për “Armëmbajtje pa leje”.
Gjithashtu, L.T. u dërgua për të vuajtur një dënim me burgim prej 20 ditësh, i cili ishte caktuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
