Arrestohet në Prizren 33-vjeçari nga Ferizaj, i dyshuar për vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur arrestimin e një personi që ishte në kërkim për veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i 33-vjeçarit me inicialet B.A., nga Ferizaj, është bërë pasi ai dyshohet të ketë kryer të paktën dy raste të vjedhjeve në qytetin e Prizrenit.

“Falë bashkëpunimit të zyrtarëve nga të dy stacionet, u arrit të lokalizohej dhe të arrestohej i dyshuari B.A., një mashkull rreth 33 vjeç, banues në Ferizaj”, thuhet në komunikatën e policisë.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit kompetent, policia i ka caktuar të dyshuarit masën e ndalimit prej 48 orësh.