Ardian Gjini mbështet nismën e IKD-së: Keqpërdorimi i parasë publike për fushata duhet të dënohet me ligj

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka shprehur mbështetjen e tij për nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Kjo nismë synon forcimin e përgjegjësisë ligjore për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimin e fondeve publike gjatë fushatave zgjedhore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini deklaroi se respektimi i Kushtetutës dhe mospërdorimi i gabuar i parasë publike duhet të jenë parime themelore të një demokracie funksionale. Ai shtoi se abuzimet e viteve të fundit kanë krijuar nevojën për ndërhyrje ligjore.

“Edhe pse në një demokraci normale respektimi i Kushtetutës dhe moskeqpërdorimi i parasë publike janë norma standarde, abuzimi flagrant në vitet e fundit po e bën të domosdoshme rregullimin e tyre me ligj. Prandaj e mbështes nismën e IKD-së”, shkroi Gjini.

Ai kritikoi praktikën e ndarjes së mjeteve publike pak para zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të manipuluar vullnetin e qytetarëve.

“Ndarja e parave publike disa ditë para zgjedhjeve nuk është politikë sociale, është manipulim i qartë për të blerë vota të qytetarëve me paratë e tyre. Zgjedhjet duhet të jenë garë e barabartë, jo një treg ku pushteti hyn në garë me buxhetin e shtetit në dorë”, theksoi ai.

Gjini kërkoi gjithashtu përgjegjësi penale për shkelësit, duke theksuar se ligji duhet të vlejë për të gjithë.

“Duhet të ketë përgjegjësi penale si për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për keqpërdorimin e parasë publike për fushata. Ky abuzim duhet të dënohet me ligj për çdokënd. Unë do ta nënshkruaj”, shtoi Gjini.