**Ahmeti mbrohet: Mbi 172 mijë eurot e padeklaruara ishin ndihmë financiare nga familja**

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin gjyqësor ku Shpend Ahmeti, ish-kryetar i Komunës së Prishtinës, akuzohet për mosdeklarim të saktë të pasurisë, përkatësisht për mosdeklarimin e shumës prej 172.600 eurosh, ai deklaroi të enjten se kjo shumë ishte ndihmë financiare nga familja e tij. Ahmeti theksoi gjithashtu se disa herë i ishte nënshtruar kontrollit të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe nuk kishte pasur asnjëherë vërejtje.

Prokuroria, nga ana tjetër, propozoi që i akuzuari të dënohet me burgim dhe gjobë, si dhe t’i konfiskohet shuma e padeklaruar. Fillimisht, Ahmeti u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën hyrëse, prokurori special Dren Paca theksoi se aktakuza do të provohet me provat që do të prezantohen, përfshirë përgjigjen zyrtare të APK-së, formularët e deklarimit të pasurisë për periudhën 2018-2022 gjatë mandatit të kryetarit, të dhënat bankare dhe ekspertizën financiare. Paca shtoi se pas shqyrtimit të tyre, do të vërtetohet se i akuzuari ka depozituar mjete në vlerën e 172 mijë eurove, të cilat nuk i kishte deklaruar.

Avokati Arbër Istrefi, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, kundërshtoi plotësisht aktakuzën, duke argumentuar se nuk ishin përmbushur asnjë nga elementet e parashikuara të veprës penale. Ai theksoi se fondet e pretenduara si të padeklaruara ishin depozita në llogari bankare, të bëra nga vetë i mbrojturi i tij, nuk kishin origjinë kriminale dhe nuk kishte pasur asnjë qëllim fshehjeje.

Vetë Ahmeti deklaroi se gjatë periudhës së lartpërmendur i ishte nënshtruar kontrollit të plotë nga APK-ja dhe asnjëherë nuk kishte marrë ndonjë problem apo vërejtje prej saj. “Gjatë kësaj periudhe, unë i jam nënshtruar disa herë kontrollit të plotë nga APK-ja, që sipas ligjit bëhet me short dhe përzgjedh 20 për qind të zyrtarëve. Unë jam përzgjedhur disa herë në këtë procedurë dhe, sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, në rast se Agjencia konstaton parregullsi, ajo njofton zyrtarin dhe i jep një afat 15-ditor për të përmirësuar deklarimin e pasurisë. Pas këtyre kontrolleve, nuk kam marrë asnjë njoftim nga Agjencia,” deklaroi Ahmeti.

Propozimi i avokatit Istrefi për të thirrur si dëshmitar ndonjë zyrtar ligjor të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit u refuzua nga trupi gjykues, me arsyetimin se përgjigja e APK-së lidhur me faktet që mbrojtja pretendonte t’i vërtetonte përmes dëshmitarit, ishte tashmë e dhënë.

Procedura vazhdoi me prezantimin e provave materiale, dhe më pas me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari.

Ahmeti deklaroi se paratë e depozituara gjatë periudhës 2018-2022 ishin ndihmë financiare nga familja e tij për shpenzime të ndryshme, pasi bashkëshortja e tij ishte e papunë në atë kohë, dhe ai nuk kishte pasur asnjëherë qëllim fshehjeje. Ai theksoi se nuk e kishte deklaruar atë shumë, pasi nuk kishte menduar se ishte detyrim ligjor, por shtoi se, për të siguruar transparencë të plotë, i kishte depozituar në bankë. “Në rastin më të keq, për mua është një gabim teknik,” deklaroi Ahmeti, duke shtuar se asnjëherë nuk ka pasur qëllim për të fshehur pasurinë. Ai pohoi se këto para ishin ndihmë nga familjarët e tij, të cilët i kishin siguruar përmes punës së tyre, dhe sipas tij, interesi i vetëm i tyre ishte dashuria. Ahmeti shtoi se vetë kishte qenë pjesë e grupit parlamentar në Lëvizjen Vetëvendosje, ku kishte dhënë komente në lidhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit. Ai deklaroi se ndihmë nga familjarët i ishte dhënë si para marrjes së postit të kryetarit, ashtu edhe pas.

Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës përfundimtare, ku prokurori Dren Paca deklaroi se është vërtetuar se i akuzuari nuk i ka deklaruar saktë të ardhurat që kishte detyrim ligjor t’i deklaronte. Prokurori propozoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet me një vit e gjashtë muaj burgim dhe gjobë prej 5 mijë eurosh, si dhe t’i konfiskohet pasuria në vlerën e shumës së padeklaruar ose ndonjë pasuri e barasvlefshme.

Në fjalën përfundimtare, avokati Istrefi, duke cituar një vendim të Gjykatës Supreme, ndër të tjera, theksoi se veprimet e të akuzuarit, në rastin më të keq, mund të cilësoheshin si kundërvajtje. Ai shtoi se nuk vërtetohet përtej dyshimit të arsyeshëm se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, si dhe është vërtetuar se nuk ka ekzistuar asnjë qëllim fshehjeje. Avokati Istrefi kërkoi që Gjykata të nxjerrë një vendim lirues.

Në seancën fillestare të datës 21 janar 2026, Ahmeti u deklarua i pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngriti aktakuzë më 23 dhjetor 2025 ndaj Shpend Ahmetit, ish-kryetar i Komunës së Prishtinës, me akuzën se, në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, i cili, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-228 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-050, si dhe Ligjin Nr. 08/L-108 për Deklarimin, Origjinën dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, ishte i detyruar të bënte deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare. Megjithatë, gjatë paraqitjes së deklaratave vjetore pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ai me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta pasurie, duke mos deklaruar të ardhurat reale.

Aktakuza specifikon se Ahmeti nuk i ka deklaruar depozitat në para të gatshme, të bëra personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes bankomatëve në llogarinë e tij personale, në vlerën totale prej 118.200 eurosh. Gjithashtu, nuk ka deklaruar as mjetet financiare në shumën prej 54.400 eurosh, të pranuara në llogaritë personale të nënës së tij, L.A., duke e çuar shumën totale të padeklaruar në 172.600 euro. Për këtë, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, e sanksionuar me nenin 430, paragrafi 2, në lidhje me nenin 77 të Kodit Penal.