**David Beckham fiton mbi 22 milionë euro nga Kupa e Botës 2026**
David Beckham mbetet një nga personalitetet më influente në botën e marketingut sportiv, shumë vite pas tërheqjes së tij nga fusha e lojës.
Ish-ylli anglez ka siguruar fitime të konsiderueshme përmes marrëveshjeve sponsorizuese gjatë Kupës së Botës 2026, duke dëshmuar se mbetet një emër me ndikim të madh për markat globale, raporton “Gazeta Express”.
Një analizë e publikuar nga Sponsorlytix tregon se Beckham ka përfituar plot 22.3 milionë euro nga sponsorizimet dhe të drejtat e imazhit lidhur me Botërorin 2026. Kjo shifër e rendit atë në krye të ish-futbollistëve të përfshirë në fushata publicitare gjatë këtij evenimenti.
Në vendin e dytë gjendet Lionel Messi, me rreth 18.7 milionë euro të gjeneruara, ndërsa podiumi plotësohet nga Cristiano Ronaldo, me 16.9 milionë euro.
Lista përfshin edhe figura të tjera të njohura të futbollit mbarëbotëror, të cilët mbeten tejet të kërkuar nga sponsorët.
Raporti nënvizon se ndikimi global i Beckhamit është ende jashtëzakonisht i lartë. Kjo vjen si rezultat i kombinimit të popullaritetit të tij masiv, pranisë aktive në rrjetet sociale dhe rolit si bashkëpronar i Inter Miamit – faktorë që e shndërrojnë atë në një ambasador tejet të vlefshëm për markat botërore.
Edhe pse nuk është më aktiv si lojtar, Beckham vijon të jetë një prej personaliteteve më fitimprurëse në futboll. Kjo dëshmon se marka e tij personale ruan fuqinë maksimale edhe në vitin 2026.
