Arrestohet i dyshuari për dy vjedhje në Zveçan, gjenden paratë e vjedhura
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar në lidhje me dy raste vjedhjesh të raportuara më 24 korrik në Zveçan.
Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari B.M. (lindur në vitin 1992) dyshohet se ka vjedhur 220 euro nga arka e një barnatoreje në rrugën “Buba Mihajloviq”, si dhe një çantë me dokumente personale dhe 937 euro nga një restorant.
Pas hetimeve intensive, i dyshuari u arrestua më 25 korrik në Mitrovicën e Veriut. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën edhe paratë që dyshohet se ishin vjedhur.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.
