Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, bënë homazhe në përvjetorin e vdekjes së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi. Ata e cilësuan atë si një prej figurave më të rëndësishme të rezistencës dhe sakrificës së Kosovës për liri.

Nëpërmjet një postimi, Haxhiu theksoi se jeta e Demaçit përfaqëson disa nga etapat më thelbësore të historisë së Kosovës. Ajo kujtoi se Demaçi ishte pjesë e rezistencës politike në kohën kur kërkesa për liri dënohej me burg.

“Jeta e tij lidhi disa etapa të historisë sonë. Ai ishte pjesë e rezistencës politike në kohën kur kërkesa për liri dënohej me burg, ishte zë i të drejtave të shqiptarëve kur ato mohoheshin dhe mbeti i pranishëm në jetën publike edhe kur Kosova hyri në një kapitull të ri të historisë së saj,” citoi Haxhiu. Ajo shtoi se Demaçi mbeti aktiv në jetën publike edhe pas çlirimit të Kosovës, duke qenë një zë i palëkundur për të drejtat e shqiptarëve.

Veprimtari, njëkohësisht shkrimtar, Demaçi kundërshtoi ashpër gjakmarrjen dhe robërinë. Pas çlirimit të Kosovës, ai kërkoi me këmbëngulje që liria të mos shfrytëzohej për hakmarrje. “Baca Adem i përkiste brezit që e përjetoi thellësisht mohimin e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi,” theksoi Haxhiu. Ajo shtoi se ai zgjodhi të mos heshtte, duke paguar për këtë zgjedhje me 28 vjet burg. “As burgimi dhe as përndjekja nuk e detyruan të hiqte dorë nga bindjet e tij dhe nga kërkesa për lirinë e Kosovës,” përmbylli Haxhiu këtë pjesë të fjalës së saj.

Haxhiu kujtoi se emri i Adem Demaçit kishte tejkaluar kufijtë e Kosovës shumë kohë para se ajo të fitonte lirinë. Organizata “Amnesty International” e mori në mbrojtje si të burgosur të ndërgjegjes, ndërsa lirimi i tij u kërkua edhe në Senatin Amerikan. Parlamenti Evropian e nderoi me Çmimin Saharov për qëndrimin e tij të palëkundur përballë një regjimi autoritar, përfundoi mes të tjerash presidentja në detyrë.