Arrestohet në Ukrainë një figurë me ndikim të madh, dikur i dyti më i fuqishëm në vend

Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit e Ukrainës ka urdhëruar të enjten arrestimin e Andriy Yermak, një aleat i ngushtë i Presidentit Volodymyr Zelensky dhe një figurë kyçe me ndikim të madh në administratën e tij. Ai akuzohet për pastrim parash.

Gjykata caktoi gjithashtu një garanci financiare prej 140 milionë hryvnias (rreth 3.19 milionë dollarë), me të cilën Yermak, i cili i mohon akuzat, do të lirohet në pritje të procesit gjyqësor.

“Nuk kam aq shumë para dhe avokati im tani do të punojë me miq dhe të njohur për të mbledhur fondet për garancinë,” u tha Yermak gazetarëve pas vendimit të gjykatës.

Autoritetet ukrainase e shpallën Yermakun të dyshuar në një hetim të madh për korrupsion të hënën. Ai është figura më e spikatur nga rrethi i ngushtë i presidentit që është vënë në shënjestër nga zyrtarët antikorrupsion.

Shërbimet ukrainase kundër korrupsionit thanë se Yermak dyshohej për pjesëmarrje në një organizatë kriminale e përfshirë në pastrimin e rreth 10.5 milionë dollarëve. Këto fonde dyshohet se janë pastruar përmes ndërtimit të pronave të banimit elitar në afërsi të kryeqytetit, Kiev.

Yermak konsiderohej dikur personi i dytë më i fuqishëm në Ukrainë, pas Zelensky-t, duke ushtruar një ndikim të madh në politikën ukrainase, pavarësisht se pozicioni i tij ishte i emëruar dhe jo i zgjedhur nga populli.

Ish-producenti i filmave dhe avokati shfaqej rregullisht përkrah presidentit në ngjarje publike dhe ishte kryenegociatori i Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

/Indeksonline/