Kryeqyteti ukrainas, Kiev, është goditur nga një valë e re sulmesh ruse me dronë dhe raketa, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e të paktën katër të tjerëve. Si pasojë e sulmeve, janë shkaktuar gjithashtu dëme në disa ndërtesa banimi.

Autoritetet ukrainase bënë me dije se një pjesë e një objekti banesor në distriktin Darnytskyi është shembur pjesërisht, ndërsa dyshohet se disa persona mund të kenë mbetur nën rrënoja.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, deklaroi se të plagosurit po marrin trajtim në spital, ndërsa ekipet e urgjencës vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan ndërtesa të dëmtuara rëndë, zjarre dhe ekipe shpëtimi duke punuar intensivisht për largimin e rrënojave pas sulmit.

Kjo valë sulmesh vjen vetëm një ditë pasi Rusia kreu një tjetër operacion me dronë kundër infrastrukturës kritike në Ukrainë, ku humbën jetën të paktën gjashtë persona.