Ndalohet shoferi i dehur pas aksidentit fatal në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë

**MITROVICË** – Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar një shofer, i cili dyshohet se ka shkaktuar një aksident fatal mëngjesin e së enjtes në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, saktësisht në fshatin Studime. I dyshuari po hetohet për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i ndaluari, në gjendje të theksuar dehjeje, ka drejtuar automjetin e tij në korsinë e kundërt të rrugës, duke u përplasur me një automjet tjetër.

Si pasojë e kësaj përplasjeje tragjike, një grua humbi jetën në vendngjarje. Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me urdhër të Prokurorisë.

Gjithashtu, shoferi i automjetit tjetër dhe tre pasagjerë të tjerë pësuan lëndime serioze. Ata po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë dalë njësitë policore dhe prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, të cilët kanë kryer hetimet e para.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj shoferit të ndaluar, brenda afatit ligjor, do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.