Kosova i shpëtoi stuhive të paralajmëruara: Meteorologu Rugova sqaron mosardhjen e “nivelit portokalli”

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) kishte paralajmëruar për datën 22 korrik zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat pritej të shkaktonin stuhi lokale, bubullima, reshje shiu, breshër dhe erëra të forta. Për këtë arsye, ishte shpallur “niveli portokalli” i rrezikut, duke treguar për mundësinë e dëmtimit të infrastrukturës rrugore, rrjetit energjetik e telekomunikues, si dhe përmbytje të shpejta lokale dhe dëme në objekte, automjete e kultura bujqësore.

Megjithatë, dita e 22 korrikut kaloi pa manifestuar stuhitë e paralajmëruara. Kjo situatë nxiti pyetje rreth saktësisë së parashikimit.

Meteorologu Mendim Rugova, në një prononcim për Klan Kosova, sqaroi se, ndonëse ishte pritur një vazhdimësi e situatës meteorologjike nga data 21 korrik, Kosova nuk u përfshi nga stuhitë në momentet e fundit.

Ai theksoi se “ka qenë pak e parashikueshme që mund të zgjaste edhe pas mesnate ndonjë stuhi.” Rugova shtoi se ndonëse ka pasur zhvillime në Adriatik, “në momentin e fundit s’ka hyrë në vendin tonë, siç parashihej. Prandaj dita e sotme s’pati potencial për stuhi.” Ai vuri në dukje edhe natyrën e parashikimeve meteorologjike, duke deklaruar se “mund të ndodhë në parashikime, që brenda 24-orëve mund të ketë ndryshim drastik.”