**Ushtar amerikan akuzohet për mashtrim masiv me baste rreth Maduros, përdori informacione sekrete**

Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi të enjten se një ushtar amerikan është akuzuar për mashtrim, pasi dyshohet se ka përvetësuar mbi 400,000 dollarë duke vënë baste për rrëzimin e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Ushtari Ken Van Dyke akuzohet se ka përdorur informacione të klasifikuara për të vënë bast mbi një ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë më 3 janar, në platformën online të parashikimeve Polymarket, tha departamenti.

I stacionuar në bazën ushtarake Fort Bragg në Karolinën e Veriut, i dyshuari “mori pjesë në planifikimin dhe zbatimin” e operacionit për kapjen dhe sjelljen e Nicolás Maduros në Shtetet e Bashkuara, sipas deklaratës. Ai kishte qasje në informacione të ndjeshme, të pa-publikuara dhe të klasifikuara në lidhje me këtë operacion.

Duke filluar nga fillimi i dhjetorit, ushtari 38-vjeçar vendosi baste me vlerë totale rreth 33,000 dollarë në 13 transaksione, lidhur me një ndërhyrje të mundshme të SHBA-së në Venezuelë ose rrëzimin e Presidentit Maduro.

“Si rezultat, Van Dyke fitoi këto baste. Në total, ai dyshohet se realizoi një fitim prej rreth 409,881 dollarësh,” bëri të ditur Departamenti i Drejtësisë. Ai po ndiqet penalisht, ndër të tjera, për përdorim të paligjshëm të informacionit konfidencial qeveritar për përfitime personale, vjedhje të informacionit qeveritar, mashtrim dhe transaksione të paligjshme monetare – akuza që mbartin një dënim të mundshëm me disa dekada burg.

“Ushtarakët që shërbejnë në uniformë kanë qasje në informacion të klasifikuar dhe u ndalohet përdorimi i këtij informacioni shumë të ndjeshëm për përfitime personale financiare,” tha Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche.

Platforma të parashikimeve si Polymarket dhe Kalshi, të cilat u lejojnë përdoruesve të vënë baste mbi probabilitetin e ndodhjes së një ngjarjeje, janë përfshirë tashmë në polemika të tjera. Për shembull, llogaritë në Polymarket fituan 1.2 milion dollarë pasi vunë baste për një sulm të SHBA-së ndaj Iranit më 28 shkurt, pikërisht ditën kur filloi ofensiva.

Në fund të marsit, një valë shitjesh në tregun e naftës, pak minuta para njoftimit të Donald Trump për bisedimet me Iranin, ngriti dyshime mes tregtarëve dhe politikanëve. Shumë e interpretuan këtë si provë të tregtimit me informacione të brendshme.