**Gjermani: A po vjen shtrëngimi i rripit mes rritjes së ulët ekonomike?**
Një rritje e theksuar e çmimeve të energjisë po frenon rritjen ekonomike gjermane, e cila parashikohet të arrijë vetëm 0.5% këtë vit – niveli më i ulët në Bashkimin Evropian. Këto janë parashikimet e fundit të Ministrisë së Ekonomisë.
Ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, paraqiti një panoramë jo optimiste para gazetarëve në Berlin. Ajo theksoi se tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme pritet të shkaktojnë një rishikim në rënie të parashikimeve të mëparshme, duke bërë që rritja ekonomike e Gjermanisë për këtë vit të jetë vetëm 0.5%. “Ky përshkallëzim na ka kthyer prapa ekonomikisht,” u shpreh Reiche.
Raporti vjetor ekonomik, të cilin ajo e prezantoi në janar, para zhvillimeve aktuale, tashmë konsiderohet i zhvlerësuar. Në atë kohë, ajo ende parashikonte një rimëkëmbje të ngadaltë, por të qëndrueshme ekonomike.
Ministrja nuk mundi të parashikonte se si do të evoluonte situata, për shembull nëse konflikti do të vazhdojë apo nëse fluksi i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit do të normalizohet. Ajo theksoi se parashikime të tilla në këto ditë janë jashtëzakonisht të vështira.
Megjithatë, Reiche konfirmoi se inflacioni pritet të arrijë rreth 2.7% këtë vit. Kjo rritje nxitet kryesisht nga shtrenjtimi i benzinës, naftës, gazit dhe energjisë elektrike.
**Shoku dhe kriza**
Pas recesionit, rimëkëmbja ekonomike gjermane dukej delikate dhe e brishtë. Tani, sfidat janë shtuar. “Konflikti në Lindjen e Mesme çoi në një tronditje energjetike që nuk mundëm ta parandalonim, por që po ushtron një presion mbi qytetarët dhe ekonominë,” tha Reiche.
Reformat janë bërë edhe më urgjente për të rritur “rritjen potenciale”. Potenciali i ekonomisë gjermane – pra rritja në kohë “normale” – vlerësohet të jetë vetëm 0.5%. Ky nivel është shumë i ulët për të siguruar prosperitet në Gjermani në vitet e ardhshme.
Rimëkëmbja aktuale e ngadaltë pas viteve të recesionit është gjithashtu rezultat i investimeve të mëdha shtetërore. Qeveria gjermane ka marrë hua të konsiderueshme, ku gjysma e tyre do të shkojnë për mbrojtje dhe gjysma tjetër për infrastrukturë.
Vendet e punës në industri po zhduken ose po zhvendosen jashtë vendit, ankohet Reiche. “Dobësia në rritjen ekonomike është strukturore – vendet e tjera i kanë bërë detyrat e shtëpisë më mirë.”
Sipas Komisionit Evropian, Gjermania pritet të ketë rritjen më të ulët në BE.
**Reiche kundërshton taksën mbi fitimet e papritura**
Reiche nuk mbështet ndërhyrjen në treg, si për shembull kufizimin e çmimit të karburantit në pompa. Këtu ajo ndryshon nga qëndrimi i Partisë Socialdemokrate.
Ajo theksoi se paratë e taksave që mund të përdoren për njëfarë lehtësimi “nuk bien nga qielli”. Ministrja gjithashtu kundërshton një taksë të veçantë mbi fitimet e papritura që po shënon industria e naftës në Gjermani, duke argumentuar se kjo mund të çojë në uljen e kapacitetit të rafinerive ose zhvendosjen e operacioneve diku tjetër.
Komisioni Evropian gjithashtu e sheh një taksë të tillë me skepticizëm, megjithëse e bëri të mundur pas agresionit rus kundër Ukrainës. Gjermania ka mbledhur dy miliardë e gjysmë euro nga taksat, por çështja është ende në shqyrtim para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg.
**A po vjen shtrëngimi i rripit?**
Institutet kryesore ekonomike publikuan parashikimet e tyre para Pashkëve. Ngjashëm me Ministrinë e Ekonomisë tani, ato gjithashtu i përgjysmëzuan parashikimet e tyre të rritjes ekonomike.
Timo Wollmersheim, nga Instituti për Kërkime Ekonomike në Universitetin e Mynihut, thekson se edhe kjo rritje minimale do të vijë vetëm si rezultat i investimeve masive qeveritare. Dhe kjo ka një çmim.
Normat e interesit për borxhin qeveritar pritet të rriten aq shumë sa që deri në fund të kësaj dekade, siç theksojnë ekspertët, do të nevojiten “përpjekje të konsiderueshme konsolidimi”.
E përkthyer në terma të thjeshtë – rripat do të duhet të shtrëngohen. Dhe kjo do të thotë shkurtim i fondeve për përfitimet sociale dhe pensionet, ndër të tjera./DW/
