**Arsim Thaqi largohet nga Dukagjini, Armend Dallku pritet ta zëvendësojë**
Ka përfunduar bashkëpunimi mes trajnerit Arsim Thaqi dhe KF Dukagjini të Klinës, pas vetëm pak muajsh në drejtimin e skuadrës.
Trajneri kosovar e mbyll mandatin e tij menjëherë pas eliminimit të Dukagjinit nga FC Lugano në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku ekipi klinas pësoi një humbje të thellë.
Pavarësisht largimit, Thaqi do të mbahet mend në historinë e klubit, pasi ai udhëhoqi Dukagjinin drejt trofeut të parë të Kupës së Kosovës, sukses që siguroi edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
Sipas informacioneve të Gazetës Express, drejtuesit e klubit kanë vendosur tashmë për pasuesin e tij. Trajner i ri i Dukagjinit pritet të emërohet Armend Dallku.
Dallku vjen pas një sezoni të suksesshëm me Vushtrrinë, të cilën e shpalli kampione të Ligës së Parë dhe e riktheu në elitën e futbollit kosovar. Për të, ky do të jetë një rikthim në Klinë, pasi më herët ka drejtuar po ashtu Dukagjinin, duke lënë pas një punë të vlerësuar në klub.
