**Arsimi Dual në Kosovë: Zgjerim i Suksesshëm me Mbi 2,500 Nxënës dhe 1,000 Ndërmarrje Partnere**
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka organizuar së fundmi konferencën “Përmbyllja e Arsimit Dual në Kosovë: Arritjet, mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtejmë”, ku u theksua zgjerimi i jashtëzakonshëm i këtij modeli të arsimit profesional. Nga rreth 100 nxënës në fazën pilot, programi është zgjeruar tashmë duke përfshirë mbi 2,500 nxënës në 32 shkolla profesionale dhe mbi 1,000 ndërmarrje partnere.
Ambasadori i Luksemburgut në Prishtinë, Eric Dietz, theksoi se arsimi dual lidh ngushtë mësimin me tregun e punës, duke u ofruar të rinjve aftësi praktike thelbësore dhe duke siguruar fuqi punëtore të kualifikuar për bizneset.
“Mbështetja e arsimit profesional është një investim strategjik tek njerëzit. Ajo ndihmon të rinjtë të zhvillojnë aftësi praktike dhe bizneseve u siguron fuqinë punëtore të kualifikuar për të cilën kanë nevojë,” deklaroi Dietz. Ai shtoi se gjashtë programe të reja, në fusha si teknologjia informative dhe e komunikimit (TIK), energjia e ripërtëritshme dhe përpunimi i drurit, po u mundësojnë të rinjve të pajisen me aftësi për sektorët në rritje të ekonomisë së Kosovës. Ambasadori theksoi se ky zgjerim i madh është rezultat i partneritetit të fortë ndërmjet institucioneve arsimore, nxënësve dhe sektorit privat.
Lah Nitaj, përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), bëri të ditur se Kosova po shënon vitin e katërt të zbatimit të arsimit dual, duke e vlerësuar këtë model si një “histori suksesi”. Ai shpjegoi se programi ka nisur bazuar në programin qeverisës dhe me mbështetjen e fuqishme të ish-ministres së arsimit.
“Jemi duke diplomuar gjeneratën e dytë, vitin tjetër diplomon gjenerata e tretë, duke përmbyllur kështu ciklin pesëvjeçar të një plani operativ të dizajnuar me qeverinë e Luksemburgut dhe të financuar nga ajo,” tha Nitaj. Ai shtoi se objektivi është ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm, me konsistencë në kohë, i cili do të përmbushë në mënyrën më të mirë nevojat e ekonomisë kosovare.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), theksoi se arsimi dual po krijon një partneritet më të qëndrueshëm ndërmjet sektorit privat dhe sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional.
“Sot nuk po shënojmë vetëm një hap përpara, por po institucionalizojmë një kthesë rrënjësore dhe një moment historik në mënyrën se si po përgatisim fuqinë punëtore për të ardhmen,” tha Rafuna. Ai vuri në dukje nënshkrimin e marrëveshjeve të mirëkuptimit ndërmjet OEK-ut dhe 32 shkollave profesionale, si dëshmi e angazhimit institucional. Këto marrëveshje, sipas Rafunës, përfaqësojnë një urë lidhëse që garanton një mjedis profesional ndërmjet sektorit privat dhe publik.
Kryetari i OEK-ut shpjegoi se, përmes Qendrës për Arsim Dual brenda OEK-ut, po certifikohen ndërmarrjet, trajnohen instruktorët në kompani dhe ekzaminerët, duke i dhënë sektorit privat një rol qendror në zhvillimin e nxënësve, në bashkëpunim me shkollat.
