Arteta zbulon prapaskenat e penalltisë vendimtare të Gabrielit në finalen me PSG-në

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka ndriçuar prapaskenat e momentit kyç që çoi në humbjen e skuadrës londineze në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain.

Ndeshja finale në Budapest përfundoi 1-1 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve, duke u dashur ekzekutimi i penalltive. Arsenali u mposht pas ekzekutimit të tyre, kur mbrojtësi brazilian Gabriel Magalhães humbi penalltinë e pestë, duke i dhënë trofeun PSG-së.

Pas ndeshjes, Arteta mbrojti zgjedhjen e Gabrielit për të ekzekutuar goditjen vendimtare, duke theksuar se gjithçka ishte pjesë e një planifikimi paraprak.

“Gabriel kërkoi ta gjuante penalltinë e fundit. Ne ishim stërvitur për atë moment,” deklaroi Arteta.

“Ajo ishte planifikuar dhe përgatitur. Gabriel duhej ta ekzekutonte penalltinë e pestë. Ai nuk humbet kurrë penallti në stërvitje,” shtoi tekniku spanjoll.

Vendimi i Artetës ngjalli debat të gjerë mes tifozëve dhe analistëve, pasi shumë u befasuan kur panë një mbrojtës qendre të merrte përgjegjësinë për goditjen vendimtare në një finale të tillë evropiane. Megjithatë, Arteta këmbënguli se ekipi kishte punuar posaçërisht për një skenar të tillë dhe se lojtarët kishin besim të plotë te Gabriel.

Pavarësisht zhgënjimit në finale, trajneri i Arsenalit u shpreh krenar për ekipin e tij, i cili, gjatë këtij sezoni, arriti të fitonte Premier League dhe të rikthehej në elitën e futbollit evropian.