**VAR-i merr kompetenca të reja në Kupën e Botës: Ndërhyrje në kornerë dhe kartonë të verdhë**
Teknologjia VAR do të luajë një rol edhe më thelbësor në Kupën e Botës së ardhshme. Zyrtarisht janë miratuar dy ndërhyrje të reja, duke i dhënë arbitrave të videos kompetenca shtesë gjatë ndeshjeve.
Sipas rregullave të reja, VAR-i do të ketë të drejtë të korrigjojë vendimet në rastet kur një goditje nga këndi jepet gabimisht. Kjo do të thotë se nëse arbitri akordon një korner, por pamjet video tregojnë qartë se vendimi ishte i pasaktë, VAR-i mund të ndërhyjë për ta ndryshuar atë.
Gjithashtu, një tjetër risi lidhet me kartonët e verdhë. Nëse pas rishikimit video, konstatohet se një lojtar është ndëshkuar padrejtësisht me karton të verdhë, VAR-i do të ketë mundësinë të ndërhyjë dhe të anulojë vendimin.
Këto dy ndryshime i shtohen kompetencave ekzistuese të VAR-it, i cili tashmë përdoret për verifikimin e golave, penalltive, kartonëve të kuq direkt dhe rasteve të identitetit të gabuar të lojtarëve.
Megjithatë, autoritetet e futbollit kanë theksuar se, përveç këtyre rasteve të reja dhe atyre ekzistuese, asnjë vendim tjetër nuk do të mund të rishikohet nga teknologjia VAR.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve është të rrisë saktësinë e vendimeve arbitrare dhe të minimizojë gabimet që mund të ndikojnë në rezultatet e ndeshjeve në turneun më të madh të futbollit në botë.
