Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se qarkullimi në sektorin e shërbimeve është rritur për 12.70 për qind në gusht 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas statistikave të publikuara të hënën, rritja më e madhe e qarkullimit është regjistruar te baret dhe restorantet, me 35.61 për qind.
Pas tyre renditen veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike me rritje prej 27.58 për qind, hotelet me 18.88 për qind, si dhe veprimtaritë botuese, prodhimi audiovizual, transmetimi, telekomunikimi, programimi kompjuterik dhe shërbimet e informacionit, me 16.49 për qind.
Ndërkaq, qarkullimi në sektorin e transportit dhe magazinimit është rritur për 11.46 për qind, ndërsa te veprimtaritë administrative dhe mbështetëse është shënuar rënie prej 15.44 për qind.
Rritet edhe numri i të punësuarve
ASK-ja ka raportuar gjithashtu rritje prej 5.25 për qind të indeksit të numrit të të punësuarve në sektorin e shërbimeve, në gusht 2026, krahasuar me gushtin e vitit paraprak.
Rritja më e madhe është shënuar në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike, me 7.42 për qind, të pasuara nga baret dhe restorantet me 6.93 për qind.
Numri i të punësuarve është rritur edhe në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse, me 5.15 për qind, në hotele me 4.88 për qind, si dhe në veprimtaritë botuese, telekomunikim dhe shërbimet e informacionit, me 4.79 për qind.
Përjashtim bën sektori i transportit dhe magazinimit, ku numri i të punësuarve ka shënuar rënie prej 0.72 për qind.
Fondi i pagave dhe mëditjeve rritet për 20.48 për qind
Sipas të dhënave të ASK-së, fondi i pagave dhe mëditjeve në sektorin e shërbimeve është rritur për 20.48 për qind në gusht 2026, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe është regjistruar në sektorin e bareve dhe restoranteve, me 33.15 për qind, ndërsa te hotelet rritja ishte 24.48 për qind.
Në veprimtaritë botuese, telekomunikim dhe shërbimet e informacionit, fondi i pagave dhe mëditjeve është rritur për 19.19 për qind. Në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse rritja ishte 18.18 për qind, ndërsa në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike, 17.61 për qind.
Edhe transporti dhe magazinimi kanë shënuar rritje të fondit të pagave dhe mëditjeve, prej 12.34 për qind.
Të dhënat janë pjesë e publikimit të ASK-së për Statistikat Afatshkurtra të Shërbimeve për muajin gusht 2026.
