Policia e Kosovës integron sistemin e gjobave në e-Kosova, qytetarët njoftohen edhe përmes SMS-ve

Policia e Kosovës ka njoftuar funksionalizimin e integrimit të Sistemit Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) me platformën shtetërore e-Kosova. Ky zhvillim u mundëson qytetarëve qasje më të lehtë dhe më të detajuar në informatat mbi gjobat dhe masat në trafik.

Përmes këtij shërbimi të ri, qytetarët do të përfitojnë nga dy funksione kryesore:

Sapo të regjistrohet një gjobë në sistem, qytetarët do të njoftohen menjëherë përmes platformës e-Kosova dhe mesazheve SMS. Po ashtu, nëpërmjet e-Kosova, ata do të marrin njoftime për gjobat dhe masat mbrojtëse. Pronarët e bizneseve do të kenë mundësinë të shohin një raport të detajuar mbi gjendjen e gjobave të tyre, i cili do të paraqitet drejtpërdrejt në platformë.

Ky raport përfshin informata mbi gjobat e papaguara, masat mbrojtëse për individët – duke përfshirë konfiskimin ose anulimin e patentë shoferit – si dhe pikët negative të regjistruara në sistem.

Policia e Kosovës thekson se ky zhvillim do të kontribuojë në përmirësimin e qasjes së qytetarëve në informacione, rritjen e transparencës dhe lehtësimin e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe publikut.

Qytetarët inkurajohen të shfrytëzojnë platformën e-Kosova për të marrë njoftime të rregullta lidhur me gjobat dhe masat në trafik.