E ardhmja e Kristjan Asllanit te Besiktasi në pikëpyetje: Klubi turk ofron vetëm 5-6 milionë euro
E ardhmja e Kristjan Asllanit te Besiktasi duket se është në pikëpyetje, pasi klubi turk po rishqyrton mundësinë e blerjes së kartonit të tij përfundimtar. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare iu bashkua “Shqiponjave” të Stambollit në huazim nga Interi gjatë afatit kalimtar të janarit, por dinamika e situatës ka ndryshuar.
Sipas raportimeve të mediave turke, Interi kërkon 11 milionë euro për të shitur përfundimisht Asllanin.
Megjithatë, Besiktasi nuk ka ndërmend të shpenzojë një shifër të tillë për lojtarin shqiptar, i cili nuk ka përmbushur plotësisht pritshmëritë. Për më tepër, forma në rritje e futbollistit Yılmaz e bën më të lehtë për ekipin turk të tërhiqet nga insistimi për blerjen e mesfushorit kuqezi.
Klubi turk është i gatshëm të blejë lojtarin e Kombëtares sonë për një shumë prej 5-6 milionë eurosh, duke theksuar se nuk do të shpenzojë më shumë se kaq, siç raporton edhe TCH.
Kjo situatë thellon pasigurinë për të ardhmen e Asllanit, i cili duket se nuk ka më vend te Interi dhe i duhet të kërkojë një zgjidhje tjetër për karrierën e tij.
