Visar Azemi: Sekuestrimi i njehsorëve nga Policia është skemë e organizuar, jo defekt teknik
**Prishtinë** – Visar Azemi, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se Policia ka sekuestruar njehsorë lidhur me dyshimet për manipulim të matjeve.
I ftuar në emisionin ‘Kosova Live’, Azemi theksoi se qytetarët duhet të informohen për shumën që kanë paguar padrejtësisht ndaj KEDS-it, dhe se kjo shumë duhet t’u kompensohet nga kompania.
“Nëse merret njehsori nga qytetari, i cili dyshohet se ka matur gabim, dhe vendoset një i ri, nuk është zgjidhur problemi. Ai qytetar duhet të dijë për sa kohë ka vazhduar ky problem, dhe sa është kostoja që ai ka paguar padrejtësisht KEDS-it, e cila duhet t’i kthehet atij nga KEDS-i”, tha Azemi.
Ai e cilësoi situatën si një “skemë të paramenduar dhe të organizuar”, duke shtuar se “dalja në pah e një mostre kaq të madhe nuk lë vend për ta konsideruar si rast të izoluar”, citohet të ketë thënë Azemi ndër të tjera në T7.
