Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, duke thënë se ky proces meriton vëmendje dhe monitorim të vazhdueshëm nga organizatat e shoqërisë civile, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë që në vazhdimësi kanë mbështetur sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se fakti që Kosova tash e një kohë të gjatë vazhdon të ketë ushtrues detyre në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është pasojë e dështimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit nuk është vetëm njëra nga pozitat më të rëndësishme brenda sistemit të drejtësisë, por ndër funksionet më të rëndësishme institucionale në vend.
Pikërisht për këtë arsye, ky proces meriton vëmendje dhe monitorim të vazhdueshëm nga organizatat e shoqërisë civile, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë që në vazhdimësi kanë mbështetur sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Në rrethanat e krijuara, shpallja e konkursit ka qenë hap i domosdoshëm, madje edhe i vonuar. Fakti që Kosova tash e një kohë të gjatë vazhdon të ketë ushtrues detyre në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është pasojë e dështimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për të siguruar një proces meritor, kredibil dhe transparent. Po ashtu, përgjegjësi ka edhe Presidentja e vendit, e cila për një kohë të gjatë e mbajti pa epilog këtë çështje.
Andaj, mbetet të shpresohet që ky proces të administrohet siç duhet nga KPK-ja dhe Kosova sa më parë të ketë Kryeprokuror me mandat të plotë kushtetues, pa ndikime politike dhe pa cenuar besimin publik në këtë proces dhe në sistemin e drejtësisë.
