**Barcelona ka afat deri më 15 qershor për Rashford-in | E ardhmja e Marcus Rashford do të vendoset në javët në vijim.**

Barcelona ka afat deri më 15 qershor për të ushtruar opsionin e blerjes, i rënë dakord verën e kaluar me Manchester United, në kohën kur sulmuesi anglez u huazua në Kataluni. Bëhet fjalë për një shifër të përcaktuar prej 26 milionë funtesh (rreth 31 milionë eurosh), të cilën klubi katalanas, i njohur si ‘blaugrana’, ende nuk ka vendosur nëse do ta paguajë.

Sipas raportimeve, ‘Djajtë e Kuq’ (Manchester United) nuk kanë ndërmend t’i ndryshojnë kushtet e marrëveshjes fillestare. Ata madje e kanë refuzuar tashmë kërkesën e Barcelonës për të zgjatur edhe më tej huazimin e tij.

**Statistikat e Rashford-it te Barcelona**

Me 10 gola dhe 10 asistime në llogari, sulmuesi 28-vjeçar ka qenë një element i vlefshëm në fazën sulmuese të skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick, edhe pse nuk është shndërruar në protagonist absolut.

Ky bilanc konsiderohet i respektueshëm për një lojtar që mbërriti në verë në kërkim të një ringritjeje pas një sezoni zhgënjyes me ‘Djajtë e Kuq’. Megjithatë, performanca e tij nuk duket se i ka bindur plotësisht drejtuesit e Camp Nou për të investuar në mënyrë definitive në blerjen e kartonit të tij.

*Burimi: Gazeta Express*