Bayerni krijon mister rreth gjendjes së Harry Kane para përballjes me Real Madridin

Një pasiguri e madhe ka kapluar Bayern Munichun në prag të ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit. Pyetja kryesore që shqetëson opinionin sportiv është: a do të jetë Harry Kane në dispozicion për këtë sfidë të rëndësishme?

Sulmuesi 30-vjeçar dhe kapiten i Anglisë, pësoi një lëndim në kyçin e këmbës të hënën e kaluar, rreth orës 17:30-18:00 me kohën gjermane. Incidenti ndodhi gjatë një seance stërvitore me dyer të mbyllura të Kombëtares së Anglisë, pa asnjë kontakt me ndonjë lojtar tjetër, sipas raportimeve.

Që nga ajo kohë, Kane nuk ka marrë pjesë në asnjë stërvitje kolektive me skuadrën. Ai gjithashtu mungoi në listën e ekipit për ndeshjen e Bundesligës kundër Freiburgut (3-2) të shtunën.

Megjithatë, klubi bavarez po mban të fshehta detajet e lëndimit, duke mos zbuluar as cila këmbë është prekur. Kur gazeta gjermane “BILD” pyeti Max Eberl, drejtorin sportiv të Bayernit, nëse ishte kyçi i këmbës së djathtë ai i dëmtuar, ai u përgjigj me një buzëqeshje: “Kjo është një pyetje e vështirë tani… Nuk i shikoj këmbët e tij, të dyja duken të fryra.”

Gazetari nuk mori një përgjigje të qartë as pas një përpjekjeje tjetër për të zbuluar vendndodhjen e saktë të dhimbjes. Po ashtu, trajneri Vincent Kompany refuzoi të jepte detaje të mëtejshme kur u pyet, duke lënë të paqartë nëse lëndimi është në kyçin e këmbës së djathtë apo të majtë.

Në këto rrethana, klubi ende nuk ka njoftuar një diagnozë të saktë apo kohëzgjatjen e mungesës së Kane. Megjithëse Kane nuk u shfaq publikisht të premten e kaluar, burime pranë tij shprehen optimistë për gatishmërinë e tij për përballjen me Real Madridin, e cila është caktuar për të martën e ardhshme në “Bernabéu”. Ndërkohë, “BILD” sugjeron se Bayerni mund të jetë duke krijuar qëllimisht këtë paqartësi të madhe rreth lëndimit, për arsye taktike, përpara kësaj ndeshjeje madhore dhe shumë të pritur.

Ky lajm u raportua fillimisht nga GazetaExpress.