Bashkimi Evropian kërkon drejtësi për zyrtarin e EULEX-it të vrarë në Kosovë
Bashkimi Evropian ka ripërsëritur thirrjen për zbardhjen e plotë dhe vendosjen e drejtësisë lidhur me vrasjen e Audrius Šenavičius, zyrtar lituanez i Misionit EULEX, me rastin e 13-vjetorit të ngjarjes tragjike në veri të Kosovës. Šenavičius, i cili shërbente si oficer dogane në kuadër të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), u vra më 19 shtator 2013, në rrethinat e Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.
Në përvjetorin e vrasjes, kreu i EULEX-it, Antero Lopes, ka apeluar që kushdo që posedon informacione të rëndësishme për rastin, t’ua përcjellë ato autoriteteve.
“E ripërsëris edhe një herë apelin e EULEX-it: nëse dikush ka informacione që mund të ndihmojnë hetimet e Policisë së Kosovës, ju lutem t’i ndajë ato. Le të kujtojmë Šenavičiusin dhe sakrificën e tij”, ka deklaruar Lopes.
Misioni EULEX kishte ofruar më parë një shpërblim prej 82,000 eurosh për çdo informacion që do të ndihmonte në identifikimin, arrestimin dhe ndjekjen penale të personit apo personave përgjegjës për këtë vrasje.
Edhe pse kanë kaluar 13 vjet nga vrasja, autoritetet ende nuk kanë dhënë një epilog të qartë lidhur me autorët e kësaj vepre.
Bashkimi Evropian dhe EULEX-i kanë përsëritur vazhdimisht thirrjet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje dhe për sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve.
Vrasja e Audrius Šenavičius ndodhi gjatë kohës kur ai ishte në detyrë për EULEX-in, dhe rasti vazhdon të mbetet një nga çështjet e pazgjidhura që lidhen me sigurinë e anëtarëve të misionit evropian në Kosovë.
