**BE-ja shmang afatet e anëtarësimit, kërkon reforma të brendshme – Humbet objektivi i fundvitit për Malin e Zi**
Samiti i Këshillit Evropian, pavarësisht pritshmërive për një pikë kthese në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, nuk arriti të ofrojë udhëzime të qarta politike për hapat e mëtejshëm. Udhëheqësit riafirmuan mbështetjen e përgjithshme për pranimin e anëtarëve të rinj. Megjithatë, një element thelbësor i projekt-konkluzioneve – afati që Mali i Zi të përfundonte negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti – u hoq në momentin e fundit, me kërkesë të Kroacisë.
Portalet si “European Western Balkans” dhe “Brussels Signal”, të cilët mbulojnë çështjet e politikave evropiane, analizuan konkluzionet e nxjerra nga Komisioni Evropian për zgjerimin dhe reformat. Këto media theksuan se BE-ja dështoi të vendoste një kurs të qartë për zgjerimin, duke cituar kërkesat e liderëve evropianë për reformimin e bllokut fillimisht, përpara se të miratojnë anëtarë të rinj.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian deklaruan se blloku duhet të rishikojë funksionimin e tij përpara pranimit të anëtarëve të rinj, pa ofruar megjithatë ndonjë zotim për ndryshime specifike institucionale apo afate kohore. Ky qëndrim u reflektua në përfundimet e miratuara nga Këshilli Evropian në Bruksel më 15 tetor, gjatë një diskutimi strategjik mes krerëve të shteteve dhe qeverive për zgjerimin dhe reformat.
Sipas konkluzioneve, si Bashkimi Evropian, ashtu edhe vendet aspirante për anëtarësim duhet të jenë “të gatshme në momentin e pranimit”. Zgjerimi u cilësua si një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet, si dhe si një mjet për të ngushtuar dallimet ekonomike mes vendeve.
Udhëheqësit theksuan se BE-ja duhet të vijojë reformat e saj të brendshme, të përcaktojë ambiciet afatgjata dhe të adresojë çështjet që lidhen me prioritetet dhe kapacitetin e saj për të vepruar. Këta hapa, sipas tyre, do të forconin sovranitetin evropian.
Në samit u shqyrtua komunikata e Komisionit Evropian e paraqitur më 6 tetor, për përgatitjen e një Unioni më të gjerë. Ky dokument propozonte integrimin gradual të vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë, përfshirjen e mekanizmave mbrojtës në traktatet e anëtarësimit dhe përdorimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar, me synim kufizimin e vetove kombëtare. Megjithatë, asnjë prej këtyre ideve nuk u miratua. Ministrave iu kërkua vetëm të analizojnë dokumentin dhe të vazhdojnë punën, pa u përcaktuar ndonjë afat kohor konkret.
U rikonfirmua parimi i bazuar në merita, sipas të cilit përparimi i çdo vendi kandidat varet nga rezultatet dhe progresi i vet. Megjithatë, çdo hap vazhdon të kërkojë unanimitet, gjë që i mundëson çdo shteti anëtar të pengojë procesin e një vendi kandidat në çdo fazë, për arsye diskrecionale.
Kjo qasje e kujdesshme u shtri edhe ndaj vendeve më pranë anëtarësimit. Për Malin e Zi, udhëheqësit mirëpritën vazhdimin e punës për hartimin e traktatit të anëtarësimit, por eliminuan një referencë nga drafti i mëparshëm, sipas së cilës kapitujt e mbetur të negociatave duhej të mbylleshin deri në fund të këtij viti. Gjithashtu u eliminua një formulim që kërkonte përfundimin e tekstit të Traktatit sa më shpejt të ishte e mundur. Podgorica ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 21 prej tyre, ndërsa qeveria malazeze vijon të synojë anëtarësimin në vitin 2028.
Përparimi në vendet e tjera është më i ngadalshëm. Shqipëria mbylli kapitullin e katërt më 13 tetor, me 29 kapituj të mbetur për të përfunduar, ndërsa Ukraina dhe Moldavia hapën grupkapituj të rinj gjatë së njëjtës javë. Paketa vjetare e Komisionit Evropian për zgjerimin, e cila pritet të përcaktojë udhërrëfyesit e anëtarësimit për katër vendet lidere në proces, është shtyrë për më 4 nëntor.
