Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet lidhur me veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestave të zhvilluara së fundmi në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Fokusi i hetimeve është verifikimi i rasteve të dyshuara për shkelje ligjore nga punonjës të Policisë.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, AMP bëri me dije se punonjësit e saj ishin të pranishëm në terren gjatë protestave, ku kanë identifikuar raste konkrete që do t’i nënshtrohen një verifikimi të thelluar.

Përveç vëzhgimeve në terren, Agjencia ka mbledhur dhe po analizon pamje filmike të transmetuara nga mediat, si dhe materiale të publikuara në rrjetet sociale.

Qëllimi i këtyre hetimeve, sipas AMP-së, është sqarimi i rrethanave të secilit rast dhe përcaktimi i përgjegjësive të mundshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

AMP thekson se po vijon veprimet hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, me objektivin e shkëmbimit të informacionit dhe sqarimit të rrethanave të ngjarjeve. Kjo, pa cenuar pavarësinë e plotë të procesit të verifikimit dhe hetimit.

Gjithashtu, Agjencia saktëson se për rastet ku janë konstatuar elemente të veprave penale, veprimet procedurale po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.