Në Gjermani, çmimi i një pakete cigaresh, aktualisht rreth 8,05 euro, pritet të rritet ndjeshëm, duke arritur deri në 12 euro deri në vitin 2030. Kjo rritje vjen pas votimit të Bundestagut për rritjen graduale të taksave mbi duhanin.

Sipas llogaritjeve të legjislacionit të propozuar, çmimet për një pako standarde pritet të shkojnë në 8,77 euro në vitin 2027, 9,56 euro në 2028, 10,42 euro në 2029 dhe 11,36 euro në 2030. Markat premium mund të arrijnë deri në 14 euro, ndërsa edhe duhani i mbështjellë me dorë do të shtrenjtohet ndjeshëm.

Si pasojë, çmimet gjermane të cigareve do t’u afrohen atyre të vendeve të tjera evropiane, megjithatë pritet të mbeten më të ulëta se në tregje si Irlanda, Franca dhe Holanda.

Me këto rritje, qeveria gjermane synon të mbledhë 12 miliardë euro shtesë në katër vitet e ardhshme. Të ardhurat shtesë parashikohen të jenë rreth 1,5 miliardë euro në vitin 2027 dhe të arrijnë në 4,5 miliardë euro deri në vitin 2030. Vitin e kaluar, qeveria mblodhi 17,6 miliardë euro nga taksat e duhanit.

Megjithatë, industria e duhanit ka dyshime në aftësinë e qeverisë për të mbledhur shumat e parashikuara. Përfaqësuesit e saj paralajmërojnë se taksat më të larta mund t’i shtyjnë konsumatorët drejt tregut të zi ose drejt cigareve më të lira nga vendet e tjera të BE-së, duke dëmtuar shitësit e ligjshëm.

Deputeti i CDU-së, Carsten Brodesser, kërkoi rritje më të moderuara, duke argumentuar se rritjet e theksuara mund të ulin të ardhurat tatimore dhe të dëmtojnë tregtinë ligjore. Propozimi i tij nuk u miratua. Nga ana tjetër, deputeti i SPD-së, Ingo Vogel, theksoi në Bundestag se reforma synon jo vetëm balancimin e buxhetit, por edhe një objektiv të shëndetit publik: dekurajimin e konsumit të nikotinës.

Mikrocensusi i vitit 2025 tregon se rreth 19% e gjermanëve mbi 15 vjeç konsumojnë duhan (14% rregullisht, 5% herë pas here). Qendra Gjermane për Kërkime mbi Kancerin raportoi se në vitin 2023, rreth 131,000 njerëz humbën jetën nga sëmundje të lidhura me duhanin. Ekspertët e shëndetësisë i shohin çmimet më të larta si një mjet efektiv për të inkurajuar njerëzit të lënë duhanin.

Bundesrati pritet të votojë të premten mbi ndryshimin e ligjit për taksat e duhanit. Meqenëse nuk parashikohen kundërshtime, miratimi i rritjes së taksave konsiderohet i sigurt.