Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka kritikuar ashpër kryeministrin aktual, Albin Kurti, duke e akuzuar për shmangie nga përgjegjësitë politike dhe mungesë në Kuvend.
Gjatë një deklarate para ndërtesës së Qeverisë, Behrami theksoi se Kurti “po fshihet”, një sjellje që, sipas deputetit, është kthyer në praktikë politike të tij.
“Sot Albin Kurti, ashtu siç e ka edhe traditë, sërish po fshihet. Sërish iku përmes rrugëve ilegale duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë,” tha Behrami, duke shtuar akuza të rënda historike: “Albin Kurti është fshehur në Rambuje kur ne festuam nënshkrimin e lirisë sonë. Është fshehur në Vjenë kur ne negocionim pavarësinë tonë. Është fshehur në ditën kur flamuri ynë u prezantua në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në ditën e shpalljes së pavarësisë.”
Deputeti i PDK-së e akuzoi gjithashtu kryeministrin se po i shmanget përgjegjësive të tij, të përcaktuara si me Kushtetutë ashtu edhe me ligj. “E gjithë jeta i shkon duke u fshehur nga përgjegjësia që e ka edhe me Kushtetutë, edhe me ligj,” u shpreh Behrami.
Në mbyllje të deklaratës, Behrami i bëri thirrje publike Kurtit që të paraqitet në Kuvend. “Edhe një herë po të ftoj që të vish në Kuvend,” përfundoi ai.
