Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për blerjen e mjeteve shurdhuese kundër studentëve protestues, duke e krahasuar këtë veprim me atë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Deklarata e Berishës erdhi në rrjetet sociale, në përgjigje të pyetjes së një ndjekësi mbi koston e dy autobotëve të ujit që qeveria ka sjellë kundër protestuesve.
Berisha pohoi se, përveç autobotëve, Rama ka sjellë edhe mjete të tjera “nga më të kushtueshmet”. Lidhur me autobotët, ai tha se janë marrë nga Turqia dhe se përdorimi i tyre kundër protestuesve është i ndaluar, për shkak të fuqisë së madhe të goditjes së ujit. Ai përmendi si shembull një incident ku një protestues “bëri një salto” pasi u godit drejtpërdrejt.
Më tej, ish-kryeministri shtoi se Rama ka siguruar edhe “makinat e zhurmës së tmerrshme shurdhuese” për protestuesit, të blera, sipas tij, nga Serbia, “si Vuçiçi në Beograd”. Gjithashtu, ai pretendoi se nga Serbia janë marrë “sasi kolosale gazi të skaduar, të ndaluar me të gjitha konventat për t’u përdorur kundër protestuesve.”
Berisha e shpjegoi këtë sjellje të Ramës me faktin se “revolta studentore po i kthente patkonjtë”, duke e cilësuar firmosjen e këtyre veprimeve si “akte turpi”.
