WhatsApp prezanton ‘Events Home’, thjeshton organizimin e takimeve
WhatsApp po prezanton përditësime të reja për funksionalitetin e ngjarjeve (eventeve), me synim lehtësimin e organizimit të takimeve dhe koordinimin me miqtë.
Me veçorinë e re, përdoruesit do të kenë mundësi të krijojnë një ngjarje, të shtojnë fotografi dhe ta ndajnë atë përmes një lidhjeje (linku) edhe me persona që nuk kanë llogari në WhatsApp.
Këta persona do të mund të shohin detajet e ngjarjes dhe të konfirmojnë pjesëmarrjen pa pasur nevojë të shkarkojnë aplikacionin.
WhatsApp po prezanton gjithashtu një hapësirë të dedikuar, të quajtur “Events Home”, ku përdoruesit do të mund të krijojnë dhe të dërgojnë ftesa të personalizuara, të menaxhojnë konfirmimet e pjesëmarrjes dhe të shohin në një vend të vetëm ngjarjet e kaluara dhe ato të ardhshme.
WhatsApp ka bërë të ditur se ky përditësim do të shpërndahet gradualisht për të gjithë përdoruesit gjatë javëve në vijim.
